Kinematografia shqiptare është në zi pas ndarjes nga jeta në moshën 59-vjeçare, të aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri pas një beteje të rëndë me një sëmundje të pashërueshme.

Xhevdet Ferri, ishte bashkëshort i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma. Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma student, ndërsa i fundit, ka qenë filmi “Delegacioni”.

Amaneti i tij i fundit ka qenë të mos i bëhen homazhe duke dashur të shkojë pa bujë e si një njeri i thjeshtë. Sot në programin “Historia ime” në Tv Klan, ish-studentja e tij Suela Bako ka treguar më shumë për aktorin Xhevdet Ferri.

Mirela Milori: Mesa di ka luftuar disa muaj me këtë sëmundje?

Suela Bako: Thuhet që ka luftuar disa muaj, kam përshtypjen që ai vetë ka zgjedhur të jetë në hije dhe ne mos të diskutojmë shumë për këtë, por të diskutojmë për vlerat dhe ato gjëra aq të rëndësishme që ai ka bërë dhe gurin e rëndësishëm që ai ka vendosur në themel do thoja unë, jo thjesht në mur, por në themelin e kinemasë shqiptare dhe deri- diku edhe të teatrit.

Mirela Milori: Ne që nuk e njohim apo njerëzit që e njohin nga ekrani, nga filmat, na është dukur gjithmonë fjalëpak, por fjala e tij me peshë. I kishte peshë edhe heshtja Xhevdet Ferrit, edhe vështimi në ekran. Po në jetë ishte i tillë?

Suela Bako: Absolutisht që ka qenë i tillë. Ka qenë diellor shumë, por do vazhdojë të jetë diellor me performancat e tij në ekran.

Mirela Milori: Më bën përshtypje janë kolosë që nuk duan t’ju bëhen homazhe?

Suela Bako: Ata e bënë më të mirën e tyre dhe na lanë neve këtë pasuri, kështu që është përgjegjësia jonë për të mbushur boshëllëkun e tyre dhe hapësirën tonë./tvklan.al