Ushtria izraelite nuk kursen sulmet në kampet e refugjatëve aty ku mijëra palestinezë të zhvendosur janë strehuar. Sulmi i fundit ajror vrau të paktën 10 persona dhe plagosi 13 të tjerë në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza.
Në mesin e viktimave është edhe një nënë me fëmijën e dhe pesë vëllezërit e motrat e saj. Gjashtë persona të tjerë u vranë në një sulm në një shtëpi në qytetin e Gazës.
Izraeli shpesh herë është shprehur se sulmet synojnë vetëm terroristët dhe akuzon Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura se rrezikojnë jetën e civilëve duke vepruar në zona të banuara.
Sulmet vijnë teksa mediat izraelite bëjnë të ditur se tre pengjet që u gjetën të pajetë muaj më parë të jenë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite.
Nik Beizer, Ron Sherman dhe Elia Toledano dyshohet se humbën jetën gjatë sulmeve ajrore në nëntor në të cilën mbeti i vrarë një anëtar i lartë i Hamasit. Ky informacion rrit presionin ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanjahu për të arritur një marrëveshje për kthimin e pengjeve të mbetura, që ende mbahen nga Hamasi.
Përpjekjet për të kthyer pengjet në Izrael janë diskutuar edhe gjatë një bisedë telefonike mes ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin. Ministri izraelit mësohet të ketë thënë gjithashtu se koha po ikën për një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve me Hezbollahun.
Biseda mes tyre vjen teksa i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë Amos Hochstein vizitoi Izraelin për të diskutuar krizën në kufirin verior ku trupat izraelite kanë shkëmbyer të shtëna me forcat e Hezbollahut prej muajsh.
Klan News