Të paktën 37 persona vdiqën pas një sulmi ajror izraelit në periferi të Bejrutit të premten, njoftoi ministria libaneze e shëndetësisë, pas rreth një vit konflikti mes grupit militant Hezbollah dhe Izraelit.
Grupi militant Hezbollah njoftoi se 16 prej viktimave ishin anëtarë të këtij grupi, përfshirë dy udhëheqës të lartë, Ibrahim Aqil, dhe Ahmed Wahbi.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se ishte i shqetësuar për një përshkallëzim të tensioneve midis Izraelit dhe Libanit, por sipas tij vrasja e një prej drejtuesëve ushtarakë të grupit Hezbollah, të cilin Uashingtoni e cilëson si grup terrorist, ishte e justifikuar.
“Ndërsa rreziku i përshkallëzimit është real, në fakt besojmë se ka gjithashtu një rrugë për të arritur në një ndërprerje të armiqësive dhe zgjidhje të qëndrueshme që i bën njerëzit në të dy anët e kufirit të ndihen të sigurt”, u tha Sullivan gazetarëve.
Për kapjen e Ibrahim Aqilit, Shtetet e Bashkuara kishin vendosur një shpërblim prej 7 milionë dollarësh, për shkak të lidhjeve të tij me bombardimin e përgjakshëm të ushatarëve amerikanë në Liban, në vitin 1983.
“Numri i të vdekurve nga ky sulm është 37, përfshirë 3 fëmijë të moshës 6, 4 dhe 10 vjeç dhe në mesin e tyre ka 7 gra. Mes viktimave janë dhe 3 sirianë. 68 të plagosur janë transferuar në 12 spitale, 53 prej të cilëve janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe 15 të plagosur janë ende të pranishëm në këto spitale, me dy prej tyre në gjendje kritike”, tha Firass Abiad, Misnitër i Shëndetësisë i Libanit.
Ky ishte sulmi i dytë izraelit ndaj udhëheqjes ushtarake të Hezbollahut që nga fillimi i luftës në Gazë. Një sulm izraelit në Bejrut në korrik vrau komandantin e lartë ushtarak, Fuad Shukr.
Sulmi shënoi një tjetër goditje ndaj Hezbollahut pasi grupi u përball me një sulm të paprecedentë në fillim të kësaj jave, gjatë të cilit pajisje elektronike të njohura si bipër si dhe radio dore, të përdorura nga anëtarët e grupit shpërthyen, duke vrarë 39 persona dhe plagosur 3 mijë të tjerë.
Koordinatorja Speciale e OKB-së për Libanin, Jeanine-Hennis Plasschaert, tha të premten se sulmi në një zonë me popullsi të dendur në të Bejrutit ishte pjesë e “një cikli jashtëzakonisht të rrezikshëm dhune me pasoja shkatërruese”.
Ministri i Mbrojtjes,Yoav Gallant, tha se “armiqtë e Izraelit nuk do të gjejnë strehë, madje as në periferitë jugore të Bejrutit”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha pas sulmit se Izraeli “nuk po synonte një përshkallëzim të gjerë në rajon”.
Nga ana tjetër Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi Izraelin se kërkon të “përhapë konfliktin”.
Dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë në të dy anët e kufirit Izrael-Liban që kur Hezbollahu filloi të godiste Izraelin me raketa në muajin tetor, në shenjë mbështetjeje për palestinezët në luftën gati njëvjeçare të Izraelit kundër Hamasit në Gazë.
Në një tjetër zhvillim, autoritetet në Gazë që drejtohen nga Hamasi thanë se një sulm izraelit vrau të paktën 22 persona në një shkollë që strehonte personat e zhvendosur në qytetin jugor të Gazës të shtunën, ndërsa ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër një qendër komanduese të grupit militant.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë përpjekur të ndalojnë përhapjen e luftës në një konflikt rajonal.
Konflikti mes Hezbollahut me Izraelin daton prej dekadash, por u ndez vitin e kaluar paralelisht me luftën në Gazë mes Izraelit dhe grupit të militantëve të Hamasit, duke rritur shqetësimet për një luftë të gjerë rajonale./VOA