Më 13 Qershor të këtij viti, Shqipëria u bë anëtarja e 36 e Qendrës Evropiane të Ekselencës për trajtimin e Kërcënimeve Hibride “Hybrid CoE”.

Delegacioni i kësaj qendre u njoh nga afër me sulmet kibernetike ndaj vendit tonë dhe diskutoi më tej për mënyrat praktike të bashkëpunimit. Sipas kreut te Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, anëtarësimi i Shqipërisë në Qendrën Evropiane të Ekselencës, është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen.

Igli Tafa, kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike: Shqipëria është vendi i cili do të përfitojë nga kjo iniciativë në nivel ekspertize, trajnimesh, në nivel projektesh të përbashkëta, si për ekspertët e fushës, por dhe në nxitjen e talenteve të reja.

Ndërsa Kreu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të “Hybrid CoE” nënvizoi se do të ndërtohen kapacitete të përbashkëta me Shqipërinë për kërcënimet hibride.  

Tapio Pyysalo, kreu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të “Hybrid CoE: Objektivi kryesor i rezultateve të punës sonë të përbashkët është të ndërtojmë kapacitete për t’u mbrojtur nga kërcënimet e shumta. Në rastin e Shqipërisë, ju tashmë keni shumë kapacitete, por sigurisht ne bëjmë gjithçka që të punojmë së bashku, për të ndërtuar të gjitha ato kapacitete kombëtare të mbrojtjes dhe gjithashtu, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut nga kërcënimet kibernetike. Në mënyrë që ata të jenë gjithashtu të përgatitur më mirë për çdo sulm të mundshëm kibernetik hibrid.

Vetëm gjate vitit 2023, vendi ynë është përballur me 46 sulme kibernetike, ndërsa gjatë këtij viti mbi 20 sulme te tilla.

Klan News