Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse kanë tronditur sërish Kievin këtë të premte në mëngjes duke shkaktuar 1 viktimë dhe disa të plagosur.

Pre e ketyre sulmeve ishte edhe fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera. Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në rrezik jeta e personelit diplomatik.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.”

Ministria e Jashtme e Ukrainës deklaroi se krahas misionit diplomatik shqiptar, dëme materiale pesuan edhe misionet diplomatike argjentinase, maqedonase, palestineze, portugeze dhe malazeze. Të gjitha këto ambasada së bashku me atë shqiptare janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë, e cila u dëmtua rëndë nga sulmi raketor rus.

“Sot në Kiev, si pasojë e sulmit me raketa, janë dëmtuar disa ambasada. Unë solla disa foto për t’ju treguar se si duket. Ju mund të shihni një makinë me targa diplomatike që i përket një prej institucioneve diplomatike. Këtu është pjesa e brendshme e ambasadës. Këtu është edhe pjesa e brendshme e ambasadës. Të gjitha këto ambasada janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë, e cila u dëmtua rëndë nga sulmi rus: ambasadat e Shqipërisë, Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi.”

Ndërkaq, kryeministri hungarez Viktor Orbán ka thënë se liderët evropianë duhet që të pranojnë nevojën për të ndryshuar strategjinë e tyre në lidhje me Ukrainën pasi Rusia po përparonte në vijën e parë të frontit.

Orbán përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të Krishtlindjeve dhe shkëmbimin e deri në 1000 robërve të luftës midis Moskës dhe Kievit. Reagimet pasojnë lajmin se rajoni rus i Kurskut është goditur nga një sulm me raketa ukrainase duke shkaktuar një numër të paspecifikuar viktimash.

Klan News