Incidenti ndaj kolonës së makinave të EULEX-it dy net më parë në Zubin-Potok ishte sulm nga të ashtuquajtura, Srpska Armia Severa, ose Armata Serbe e Veriut.

Klan Kosova arriti të mësojë se kjo organizatë fantome mori përgjegjësinë për sulmin duke lënë një zarf në vendin e ngjarjes.

Aty janë gjetur edhe katër gëzhoja të plumbave dhe janë dëgjuar 11 të shtëna. Në letrën e zarfit, një përkthim të së cilës në anglisht e ka siguruar televizioni ynë, ushtria serbe e veriut thotë se dëshiron ta paralajmërojë EULEX-in se çfarëdo përpjekje për të imponuar doganat në kalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë do të dënohet shumë rëndë.

Misionit evropian për sundim të ligjit i është thënë se nëse një gjë e tillë ndodh do të ketë humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë.

Për më tepër kjo organizatë fantome i tërheq vërejtjen EULEKS-it se çfarë mund të bëjë nëse vazhdon të jetë, siç thuhet në letër, vegël e kasapëve të serbëve nga Prishtina.

Në fund ushtria serbe e veriut i thotë EULEX-it se nuk e ka të vështirë që me katër zolla të shkatërrojë tërë kolonën e veturave të tyre, pavarësisht që ato janë të blinduara.

Incidentet në veriun e vendit nuk mungojnë nga paslufta e këndej. Ato janë shpeshtuar që nga fundi i muajit Dhjetor./tvklan.al