Sulmi në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg i cili i mori jetën 5  personave dhe u plagosën të paktën 205 ka tronditur Gjermaninë dhe jo vetëm.

Kaneclari gjerman Olaf Scholz vizitoi Magdeburg për të shprehur mbështetjen e tij për viktimat e sulmit.

“Çfarë akti i tmerrshëm është të plagosësh dhe vrasësh kaq shumë njerëz atje me një brutalitet të tillë. Tani kemi mësuar se mbi 200 njerëz janë plagosur. Pesë kanë vdekur deri më tani. Një numër i pabesueshëm, gati 40 janë plagosur aq rëndë sa duhet të jeni shumë të shqetësuar për ta. Duhet të shprehim solidaritetin tonë për të afërmit e të lënduarve dhe për gjithë qytetin.”

Të shumtë ishin liderët e huaj të cilët dënuan ngjarjen e rëndë. Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte i tmerruar nga sulmi mizor në qytetin Magdeburg i cili është në perëndim të Berlinit.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale të premten mbrëma.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dënoi “aktin brutal dhe frikacak”. “Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë, falenderimet e mia për policinë dhe punonjësit e shpëtimit”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

“Franca ndan dhimbjen e popullit gjerman dhe shpreh solidaritetin e saj të thellë”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në platformën “X”.

Kryeministri holandez Dick Schoof tha se Holanda qëndron krah për krah me fqinjët tanë gjermanë në këto kohë të errëta”, duke shtuar se autoritetet e vendit të tij po monitorojnë zhvillimet.

Për sulmin reagoi edhe ministria e jashtme e Arabisë Saudite përmes një deklarate. Një burim për agjencinë e lajmeve Reuters shkruan se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për autorin, i cili kishte shprehur pikëpamje ekstremiste në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

Miliarderi Elon Musk aleat me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, kritikoi kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe i bëri thirrje të jepte dorëheqjen. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller u shpreh se SHBA është e tmerruar nga sulmi në Magdeburg.

Në fund të muajit të kaluar, ministrja e brendshme Nancy Faeser këshilloi njerëzit të jenë vigjilentë në tregjet e Krishtlindjeve, të cilat kanë qenë një fokus i veçantë i shërbimeve të sigurisë  pasi janë një objektiv i mundshëm për sulmet ekstremiste.

Klan News