Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shpreh i pakënaqur pas telefonatës së kancelarit gjerman Olaf Scholz me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas kreut të shtetit ukrainas një akt i tillë ka hapur “kutinë e pandorës” pasi Putin do të ndihet më pak i izoluar.
”Tani mund të ketë biseda të tjera, telefonata të tjera. Vetëm shumë fjalë. Dhe kjo është pikërisht ajo që Putini ka kërkuar për një kohë të gjatë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Putini të lehtësojë izolimin e tij, izolimin e Rusisë, dhe të zhvillojë negociata të zakonshme që nuk do të rezultojnë në asgjë, siç ai ka bërë për dekada”.
Ndërsa në një intervistë për mediat ukrainase Zelenski u shpreh se shpresonte që lufta të përfundonte më shpejt me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë bisedës së tij me Putinin, e para pas 2 vjetësh, kancelari gjerman tha se dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë, duke i kërkuar atij që t’i japë fund konfliktit dhe të tërheqë trupat e tij nga territori ukrainas.
Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha për televizonin shtetëror rus se pavarësisht ndarjeve të thella që ekzistojnë mes dy palëve, telefonata është diçka pozitive.
Klan News