Dy pjesëtarë të policisë kufitare të Maqedonisë kanë marrë lëndime të lehta pas një sulmi të armatosur që është krijuar ndaj veturës së tyre natës mes ditës së enjte dhe të premte.

Sulmi ka ndodhur në afërsi të fshatit Bellanos të komunës së Likovës në rajonin e Kumanovës. Policët i kanë marrë lëndimet duke braktisur veturën e jo nga të shtënat e armëve.

Në afërsi të varrezave të fshatit nga ana e disa personave të pa identifikuar, është hapur zjarr në drejtim të një veture të policisë të cilët në momentin kanë qenë në detyrë zyrtare duke transportuar nëpunës policor të stacionit të Bellanocit.

Nga sulmi është demoluar rëndë vetura në të cilën kanë qenë 3 policët kufitar. Autorët e sulmit tani për tani nuk janë të njohur për policinë, por përfaqësuesit e policisë vlerësojnë se ky sulm nuk ka të bëj me tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike që ndodhi pas publikimit të enciklopedisë maqedonase.

“Nuk kemi asnjë motiv që këtë incident ta ndërlidhim me situatën politike që po mbizotëron për momentin në vendin tonë, meqë në atë rajon ka shumë grupe që merren me tregti ilegale”.

8 vite pas përfundimit të konfliktit 2001, rajoni i Likovës si rajon i përfshirë në këtë konflikt mbetet edhe më tej zonë neuralgjike.

Në malet e këtij rajoni shpesh herë strehohen grupe të armatosura, të përbërë kryesisht nga ish pjesëtarë të UÇK-së të cilët akuzojnë autoritet maqedonase nga procese të montuara politike.

Megjithatë nuk është e qartë nëse përpara sulmit të mbrëmshëm qëndron ndonjë grup i këtillë ose bëhet fjalë për ndonjë grup kontrabandistësh të cilët po ashtu qarkullojnë në këtë pjesë duke transportuar në mënyrë ilegale mallra nga Maqedonia për Kosovë dhe anasjelltas./tvklan.al

Gazetari: Isen Saliu