Marrëdhëniet diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës nuk do të vendosen pa u shënuar dhe milimetri i fundit i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Kështu kanë njoftuar sot përfaqësues të kabinetit të presidentit të Maqedonisë Georgi Ivanov, në një takim me gazetar.
Duke insistuar që të mbeten anonimë, ata kanë thënë se çështja e vendosjes së raporteve diplomatike është çështje teknike, e cila para së gjithash do të varet nga përfundimi i shënimit të vijës kufitare.
Drejtori i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Veton Latifi, vlerëson se qëndrimi i këtillë i presidentit maqedonas paraqet qëndrim kushtetues ndaj Kosovës.
Veton Latifi: “Maqedonia ka mbetur shumë vonë, tejet vonë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe një sjellje e tillë e kushtëzimeve dhe hezitimeve të tilla, aspak nuk kontribuon për zhvillimin e frymës së bashkëpunimit rajonal që është një nga parakushtet kryesore për integrimet në NATO dhe BE”.
Ai vlerëson se çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, Maqedonia mundohet ta përdorë edhe si monedhë për kusuritje me faktorin ndërkombëtare në kontestin që ka me Greqinë rreth emrit.
Veton Latifi: “Nuk duhet që në asnjë moment të përcjellë mesazhe kushtëzimesh dhe kërcënimesh dhe në asnjë moment që të luaj një politik të tillë të gabueshme siç po luan momentalisht duke u munduar që çështjen e Kosovës ta lidhë në aspekt të sfidës përballë varësisë kombëtare kryesisht faktorit amerikan që ta sfidojë.. të mundohet Spaku ta sfidojë faktorin amerikan dhe faktorin ndërkombëtar që në kundërvlerë të fitojë një lloj mbështetje lidhur me çështjen e emrit”.
Ndryshe ky qëndrim i kabinetit të presidentit të Maqedonisë bie ndesh me qëndrimin e qeverisë, e cila në kohën kur Klan Kosova publikoi informacionin për ankimim të mundshëm të Maqedonisë para gjykatës ndërkombëtare për çështjen e kufirit, u paraqit me demant se çështja e kufirit është mbyllur./tvklan.al
Gazetari: Isen Saliu