Banka Botërore do të vendosë brenda 9 muajsh nëse Kosova do të jetë anëtare e saj me të drejta të plota. Kështu është shprehur Sigeu Katsu, zëvendës president rajonal i bankës botërore për Europë dhe Azi qendrore, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi.

Kosova aplikoi në fillim të muajit korrik për anëtarësim në bankën botërore dhe në FMN. Mirëpo këto institucione ende nuk kanë kthyer përgjigje zyrtare nëse Kosova do të jetë pjesë e tyre.

“Procesi i anëtarësimit në bankën botërore merr kohë prej 6-9 muaj, por si vend me perspektivë, Kosova do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të grupit të bankës botërore. Ka shumë detaje teknike që janë të përfshira në kalkulimin për anëtarësimin e Kosovës në këto institucione. Nëse ky kalkulim përfundon nga FMN-ja atëherë në mund të fillojmë kalkulimet tona.”

Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e BB përfaqësuesit e saj ka konfirmuar Sigeu Katsu do të marrin pjesë në takimin e radhës të këtij institucioni që do të zhvillohet në Uashington.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se se Kosova jo vetëm që ka nëvojë, për mbështetje financiare, por edhe e meriton të jetë anëtare e plotë e bankës botërore dhe FMN.

Hashim Thaçi: “Kosova jo vetëm që ka nevojë për mbështetje financiare, por ka nevojë dhe e meriton të jetë anëtare  e plotë e bankës botërore e FMN. Ne kemi aplikuar për anëtarësim dhe besoj se do të kemi përgjigje të shpejtë dhe pozitive që Kosova të jetë pjesë e anëtare e bankës botërore.”

Banka botërore në konferencën e donatorëve ka zotuar 40 milion euro për Kosovën. Këto mjete kryesisht janë dedikuar në sferën e arsimit dhe energjetikës./tvklan.al