Kapitenët do zbresin në fushë për të lexuar deklaratat
Kukësi-Partizani dhe Tirana-Teuta duhet të ishin ndeshjet më të rëndësishme e javës së dytë të sezonit të ri të Superligës. Por, për shkak të bojkotit që Liga Profesioniste i ka bërë kampionatit, as këtë fundjavë nuk do të shohim ndeshje në stadiumet shqiptare.
Në pritje të plotësimit të 4 kërkesave që kanë të bëjnë me anën ekonomike, skuadrat do të zbresin në orën 16:00 në stadiumet ku do të luheshin ndeshjet, por jo për të luajtur. Kapitenët e tyre do të mbajnë nga një deklaratë që konfirmon bojkotin dhe risjellë në vëmendje kërkesat.
Një ditë më parë ishte Presidenti i Federatës së Futbollit që nëpërmjet një letre të hapur, i kujtoi kryeministrit që të mbajë premtimin e dhënë në mars të 2019 ku në një tavolinë të përbashkët tha se brenda 100 ditësh kërkesat e komunitetit të futbollit do të ktheheshin në realitet.
Duka tha se futbolli nuk kërkon lëmoshë, por investime me sigurinë e garantuar, që ato do të kthehen katër herë më shumë në arkat e shtetit. Në letrën e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit i përmend kreut të Qeverisë se Ligji i Sponsorizimit aktualisht nuk është favorizues për futbollin dhe në përgjithësi për sportin.
Tv Klan