Edmond Sulaj, drejtori i Drejtorisë së Policisë Shkodër ka reaguar në lidhje me akuzat e Gazment Bardhit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së gjatë seancës së sotme plenare lexoi komunikimet në Sky ECC, ku Sulaj cilësohej si “personazh i lidhur me bandat kriminale”.
Në një reagim publik, drejtori i Drejtorisë së Policisë Shkodër ka thënë se sipas tij, deklaratat e Bardhit në seancën e sotme plenare janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë të cënojnë figurën e tj në procesin e hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinionin publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit”, ka thënë Sulaj.
Drejtori i Policisë Shkodër ka thënë se do të procedojë me hapat ligjorë që parashikon ligji, duke përfshirë dhe depozitimin e një kallëzimi penal në lidhje me deklaratat e Gazment Bardhit.
“Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi. Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, mbylli reagimin Sulaj.
/tvklan.al