Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA është i paparashikueshëm me Donald Trump dhe rivalin e tij Joe Biden, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë shumë afër njëri-tjetrit me vota, në shtetet kyçe.

Republikani Trump pretendoi se ka fituar dhe u zotua të nisë një sfidë në Gjykatën e Lartë, duke akuzuar për mashtrim pa pasur asnjë bazë.

Ndërsa, demokrati Biden tha vetëm se ai është “në rrugën e duhur” për fitore.

Miliona vota janë ende të pa numëruara dhe asnjë kandidat nuk mund të pretendojë apo deklarojë me siguri se ka fituar dhe as të akuzojë për mashtrim pa prova.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të mos dihet për ditë të tëra.

Duke marrë parasysh se më shumë se 100 milionë njerëz kanë hedhur votat e tyre para ditës së zgjedhjeve, në SHBA po tregohet shkalla më e lartë e pjesmarrjes në votime që prej një shekulli.

Cilat janë rezultatet e deritanishme?

Trump ka sfiduar në sondazhet parazgjedhore dhe ka dalë më mirë sesa ishte parashikuar, por Biden është ende në garë dhe rezultati i përgjithshëm nuk është i qartë.

Për t’u zgjedhur president, një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota në atë që quhet Kolegji Zgjedhor.

Secili shtet i SHBA-ve merr një numër të caktuar votash bazuar në popullsinë e tij dhe në total janë 538 vota për t’u marrë.

Një tregues i thjeshtë për ecurinë e zgjedhjeve

Presidenti i ardhshëm parashikohet të mbajë shtetin e rëndësishëm të Florida-s.

Trump fitoi edhe shtetin e Texas, edhe pse nga fushata e Biden pritej fitore e madhe demokrate në atë vend.

Agjencitë Fox News dhe Associated Press kishin parashikuar që Biden do të fitonte në Arizona, një shtet që ka mbështetur historikisht republikanët. Dhe Biden e mori këtë shtet. Humbja e Trump në Arizona është një pengesë serioze.

Ndërsa vendet si Pensilvania, Michigan dhe Wisconsin, të cilat para 4 viteve i dhuruan Trump fitoren, tani duken si të luhatshme me vendimin e tyre. Fitorja në Pensilvani për Trump është e domosdoshme nëse do edhe një mandat tjetër.

Sipas BBC, Trump duket se do të mbajë nën kontroll Ohion dhe Misurin, gjithashtu është parashikuar të fitojë në Nebraskë, megjithëse Biden tashmë ka marrë një votë në atë vend e cila mund të ketë rëndësi në numërimin përfundimtar.

Ndërkohë, republikanët po garojnë fuqishëm për të marrë shumicën në Senat, kurse Dhoma e Përfaqësuesve pritet të qëndrojë në duart e demokratëve.

Çfarë kanë deklaruar kandidatët deri tani?

Trump ka mbajtur një mbledhje në natën e zgjedhjeve brenda Shtëpisë së Bardhë me rreth 100 të ftuar.

Në fjalimin e mbajtur aty ai është shprehur me fjalët se: “Ne po bëheshim gati për t’i fituar këto zgjedhje. Sinqerisht, ne veçse i fituam këto zgjedhje.”

Ai vazhdoi fjalimin duke pretenduar për një “mashtrim të madh në vend” pa pasur prova dhe duke shtuar se do të çojë çështjen në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.

Edhe Biden parashikoi fitoren ndërkohë që po qëndron në qytetin e tij të lindjes Wilmington, Delaware.

Demokrati tha se: “Ne ndihemi mirë për vendin ku jemi, me të vërtetë po. Unë jam këtu për t’ju thënë sonte se ne besojmë se jemi në rrugën e duhur për të fituar këto zgjedhje.”

“Ne do të duhet të jemi të duruar derisa të mbarojë puna e vështirë e llogaritjes së votave dhe të mos flasim derisa të numërohet çdo votë, çdo fletë votimi.”

Ndërsa Biden po fliste, Trump shkroi në Twitter këto fjalë: “Ne jemi lart, por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet.” Twitter e etiketoi këtë postim si potencialisht mashtrues për zgjedhje./tvklan.al