Ëngjëllushja ka sakrifikuar gjithnjë për dy vajzat dhe djalin e saj pavarësisht se ka patur një jetë plot sprova. Vajzat e saj, Rudina dhe Enkelejda rrëfyen në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi nëna e tyre gjente gjithnjë mënyra që ata mos ta ndienin vuajtjen, por të ishin gjithnjë të plotësuar dhe të rritur mirë.
Për këtë arsye, vajzat iu drejtuan rubrikës të së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan për ta falenderuar, por duke i bërë edhe një surprizë. Falë ndihmës së programit, ato gjetën mikeshën e ngushtë të Ëngjëllushes, Luçianën me të cilën ajo nuk është takuar prej më shumë se 20 vitesh dhe shprehte vazhdimisht mall për të.
Enkelejda: Mami ne donim të të shprehnim mirënjohjen tonë për çdo sakrificë që ke bërë ti për ne, që na e ke zbukuruar jetën gjithmonë, edhe pse kemi kaluar vështirësi, edhe pse ti ke kaluar vështirësi të tuat të shumta por që je munduar gjithmonë të na e bësh jetën e bukur dhe të na formosh ne si njerëz, të na japësh besimin te Zoti, të na tregosh rrezen e dritës atje ku ne kemi parë errësirën dhe gjithmonë na jep forcën dhe besimin që ndoshta ne nuk do ta kemi asnjëherë si ty, por dashuria jote është pasuria më e madhe e shpirtit tonë.
Ëngjëllushe: Faleminderit zemra ime! E bukura e nënës!
Luçiana: Kjo ishte edhe për mua një surprizë shumë e madhe. Nuk e mendoja që mund të ishin gocat që na bënë këtë ftesë për të dyja ne që do të ngelet një kujtim vërtet i paharruar. Gëzohem pa masë që të shoh pas kaq vitesh, gëzohem vërtet.
Ëngjëllushe: Edhe unë gëzohem shumë. Gjithmonë të kam kërkuar, në mendje edhe në shpirt.
Luçiana: Është e vërtetë, edhe unë ndërkohë, jemi dashur shumë./tvklan.al