Surprizat nuk kanë fund në këto zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Dy ditë para zgjedhjeve, sondazhet tregojnë se Kamala Harris ka dalë në krye në Iowa, një shtet federal i konsideruar si bastion i republikanëve. Kjo tregon se përcaktimi i rezultatit të zgjedhjeve të 5 Nëntorit nuk është i kufizuar vetëm tek 7 shtetet federale, ku rivalët janë përqendruar në këto ditë të fundit të fushatës e që konsiderohen edhe si shtete të paqëndrueshme.
Sondazhi i gazetës Des Moines Register tregon se 47% e të pyeturve mbështesin Kamala Harris-in, ndërsa 44% Donald Trump-in. Sipas kësaj të përditshmeje, peshoren drejt Harris-it e kanë shtyrë gratë e konsideruara politikisht të pavarura ose të moshuara, shumica e të cilave në zgjedhjet e kaluara nuk kanë votuar, por tani po mbështesin masivisht kandidaten demokrate. Stafi i Donald Trump-it i hodhi poshtë rezultatet e këtij sondazhi si dashakeqe dhe të pavërteta.
Ish-presidenti që synon mandatin e dytë është në avantazh në 5 nga 7 shtetet e paqëndrueshme, në Pensilvani, Nevada, Karolinën e Veriut, Xhorxhia e Arizona, ndërsa zv/presidentja që synon presidencën, në Uiskonsin e Miçigan.Në shkallë kombëtare, Harris është në avantazh me 1% përballë Trump-it. Në zgjedhjet e hershme, pjesëmarrja në votime ka arritur në 75%, e dyta më e lartë në 15 vitet e fundit.
Tv Klan