Arbër Hoxha shndërrohet në heroin e Dinamos së Zagrebit. Prurja e fundit në radhët e kombëtares shqiptare ishte vendimtar në fitoren që skuadra kroate mori në transfertën e Rijekës për të hedhur një hap të madh drejt titullit kampion.
Vetëm pak minuta në fushë dhe sulmuesi realizoi golin me vlerën e tre pikëve, i pari me fanellën e Dinamos. I thirrur në apel vetëm në minutën e 87-të, Hoxha shpërbleu besimin, duke shënuar golin e fitores 2-1 dhe tashmë Dinamo e Zagrebit është vetëm një hap drejt trofeut.
Vijojnë lajmet e mira nga Turqia. Rey Manaj po konfirmon momentin pozitiv për Sivaspor, pasi edhe në humbjen 6-1 ndaj Gallatasaraj la gjurmën e tij. Sulmuesi asistoi në golin e vetëm për herë të dytë këtë sezon, ndërsa pak minuta më pas, vetëm VAR i ndali festën për një pozicion jashtë loje.
Asist me shije titulli nga Qazim Laçi në Çeki. Mesfushori u aktivizua në të 61-ën dhe i mjaftuan vetëm dy minuta në fushë për të dhënë asistin e golit të tretë të fitores së Spartës së Pragës në fushën e Slovacko.
Performancë pozitive edhe nga Kristjan Asllani e Marash Kumbulla, më të vlerësuarit në fushë në takimin e Serie A, Sassuolo-Inter. Dyshja luajtën si titullarë, për të marrë notat më të larta në radhët e skuadrave respektive. Asllani mori notën 7.5, ndërsa për Kumbullën tashmë të rikthyer në formë të mirë specialistët e vlerësuan me 7.4.
Ky nuk ishte i vetmi lajm pozitiv nga kampionati italian për trajnerin Silvinjo, pasi këtë fundjavë në fushë u rikthyen edhe Ardian Ismajli dhe Ylber Ramadani duke lënë pas dëmtimet. Të dy u aktivizuan si titullarë dhe zhvilluan paraqitje shumë të mira.
Klan News