Nga kryeqyteti malazez Podgorica, ku nisi turin ballkanik që vijon me Shkupin, zëvendëskryeministri italian Antonio Tajani u ndal edhe tek marrëdhëniet e ngushta me Tiranën.
Tajani, i cili në të njëjtën kohë, mban detyrën e shefit të diplomacisë së vendit tonë fqinj, ka deklaruar se protokolli italo-shqiptar për menaxhimin e azilkërkuesve është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë dhe më të fortë mes dy vendeve.
Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë: Italia dhe Shqipëria kanë një partneritet të fortë strategjik, të bazuar në lidhjet tradicionale politike, kulturore, ekonomike dhe sociale si dhe në aleancën e NATO-s. Protokolli italo-shqiptar është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë dhe më të fortë në fushën e drejtësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Qëllimi ynë është që të luftojmë trafikimin e qenieve njerëzore dhe t’u mundësojmë atyre që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare të hyjnë në territorin evropian, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe humanitare. Është e rëndësishme që në këtë veprim të përfshihen edhe vendet jashtë BE-së.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor sipas Tajanit nuk është e pamundur që të hyjnë në BE para Ukrainës dhe para vitit 2030.
Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë: Këto shtete kanë kapacitetin për të përfunduar këtë rrugë, e cila megjithatë mbetet e bazuar në meritat individuale. Kjo është një përpjekje e rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar. Ne të gjithë duhet të dëshmojmë se jemi në lartësinë e detyrës për të ofruar asistencë politike dhe teknike në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është e pamundur që të hyjnë në BE para Ukrainës dhe para vitit 2030.
Pas disa ditësh, tha zëvendëskryeministri italian në New York gjatë seancës së vjeshtës të OKB-së se ai do të mbledhë grupin e miqve të Ballkanit Perëndimor. Ai synon po ashtu që të organizojë një takim në Romë me Komisionerin e ri të BE-së për Zgjerimin për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Klan News