Prodhon pasaporta të reja duke treguar që është shtet i shkëputur tërësisht
Tajvani ka nxjerrë një pasaportë të ridizenjuar që i jep rëndësi më të madhe emrit të ishullit, duke synuar të shmangë konfuzionin me Kinën mes pandemisë Covid-19 dhe përpjekjeve të rritura të Pekinit për të pohuar sovranitetin.
Pasaportat ekzistuese të Tajvanit kanë “Republika e Kinës”, emri i saj zyrtar, i shkruar me shkronja të mëdha angleze në krye, me “Tajvan” të shtypur në pjesën e poshtme, duke krijuar konfuzion ndërkombëtarisht sipas qeverisë.
Gjatë ditëve të para të pandemisë autoritetet në Tajvan deklarojnë se disa nga qytetarët e saj ishin ngatërruar me shtetas kinezë dhe me raste i nënshtroheshin padrejtësisht të njëjtave ndalime të hyrjes në lidhje me Covid-19, kur sëmundja ishte nën kontroll në Tajvan edhe jo në Kinë.
Pasaporta e re zmadhon fjalën “Tajvan” në anglisht dhe heq “Republikën e Kinës”, megjithëse ai emër rreth emblemës kombëtare mbetet.
Drejtoresha e Përgjithshme e Byrosë së Çështjeve Konsullore Phoebe Yeh për Reuters është shprehur se mbi 700 persona kanë aplikuar për të marrë pasaportën e re dhe ky numër pritet të rritet gjatë ditëve të ardhshme.
Sipas Phoebe qëllimi është të rritet dukshmëria e Tajvanit në mënyrë që njerëzit të mos identifikohen gabimisht kur vijnë nga Kina apo kur udhëtojnë jashtë.
Kina, duke iu referuar pasaportave të reja, ka bërë te ditur se nuk ka rëndësi se çfarë lëvizjesh të vogla bëri Tajvani dhe se kjo nuk do të ndryshonte faktin që Tajvani ishte një pjesë e pandashme e Kinës.
Kina pretendon Tajvanin demokratik si territorin e saj sovran dhe thotë se vetëm ajo ka të drejtë të flasë ndërkombëtarisht për ishullin./tvklan.al