Policia ka mundur të gjejë banesën ku strehohej Orgest Bilbili, i cili një ditë më parë u plagos dhe u arrestua nga efektivi i forcave “Shqiponja”. Mësohet se nga kontrolli brenda banesës u gjet një tjetër pistoletë me karikatorë me fishekë dhe një pasaportë e Orgest Bilbilit.
Ndërkohë, ky i fundit ndodhet në spital ku po merr trajtim mjekësor pasi mbeti i plagosur. Nga burime policor thuhet se agjentët janë duke hetuar për të gjetur personin që ka i ka dhënë me qira banesën Orgest Bilbilit.
30-vjeçari u ndalua mesditën e së premtes në rrugën “Niket Dardani” në zonën e Xhamllikut në Tiranë, pasi oficeri i policisë i kërkoi dokument identifikimi dhe nëse kishte leje për të dalë nga banesa. Orgest Bililbi refuzoi dhe kërcënoi me pistoletën që mbante në brez punonjësin e policisë, duke u larguar me vrap.
Efektivi i forcave “Shqiponja” i bëri thirrje që të ndalonte duke qëlluar me armë në ajër sipas protokolleve policore. Orges Bililbi kërcënoi sërish policin, duke e detyruar këtë të fundit që ta qëllonte me armë duke e lënë të plagosur. Nga të shtënat mbeti e plagosur aksidentalisht edhe një 30-vjeçare kalimtare e rastit, e cila për fat të mirë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Orgest Bilbili është person me rrezikshmëri të lartë dhe ka qenë në kërkim, i dyshuar për disa vrasje e plagosje në zonën e Lushnjes.
Ai rezulton i dënuar edhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për “Trafikim i narkotikëve”, si bashkëpunëtor i italianit Giorgio Riformato.
Po ashtu, ai dyshohet se së bashku me Laert Haxhiun vranë në vitin 2017 Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën dhe që së bashku kanë vrarë në vitin 2010 edhe Gerti Lalën. Është i dyshuar gjithashtu edhe për atentatin ku mbeti i plagosur Xhulio Shkurti dhe Sajmo Xhelili. Në Shtator të vitit 2018, forcat speciale Renea organizuan një operacion për kapjen e Bilblit në fshatin Rremas, në Divjakë, por pa mundur ta arrestojnë. /tvklan.al