Veliaj: Më shumë lehtësi për qytetarët
Kryebashkiaku i Tiranës ka zgjedhur të aplikojë për pasaportë dhe kartë të re identiteti në zyrat e reja të hapura në lagjen numër 13, pjesë e së cilës Veliaj është bërë prej disa muajsh.
“Mbarova punë në 2 minuta dhe për 2 javë do kem pasaportën e re dhe kartën e re të identitetit. I ftoj të gjithë qytetarët, shfrytëzoni këtë kohë sa ka rënë fluksi, mos prisni që të vijë fundi i vitit, kur të dalin jashtë përdorimit, por fare mirë mund t’i nxirrni jashtë përdorimit tani dhe të shfrytëzojmë këtë hapësirë për të bërë rinovimin e kartës, edhe të pasaportës.”
Lagjet e reja të krijuara së fundmi sipas kryebashkiakut ofrojnë lehtësi për qytetaret.
“Herën e fundit që isha në këtë zyrë, në zyrën e lagjes sime, më mori 2 minuta kohë që të bëja zhvendosjen e rezidencës. Do të thotë se duhet të regjistrohemi të gjithë atje ku banojmë, që bashkia ta ketë të lehtë edhe për investimet nesër, edhe për mënyrën si ndan buxhetin, ose si ofron shërbimet.”
Zyrat e reja te aplikimit do të shërbejnë për të ulur fluksin e aplikimeve, që është i lartë për shkak të emigrantëve dhe skadencës së pasaportave që janë marrë në 2009, kohë kur dolën për herë të parë pasaportat biometrike.
Tv Klan