Kosova dhe rikonfigurimi i misionit të UNMIKU-t ishte temë kryesore e bisedimeve mes Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon dhe kryeministrit britanik, Gordon Brown.
Në një konferencë për shtyp Moon tha se plani i tij për ristrukturimin e UNMIKU-t në Kosovë nuk i ka kënaqur të gjithë, por shtoi se ky ishte opsioni që ofron një rrugë përpara për Prishtinën.
Ban Ki-Moon: “Jam i vetëdijshëm se kjo paketë mund t’i mos kënaqë të gjitha palët. Megjithatë, është bindja ime më e sinqertë se pas diskutimit të kësaj çështjeje do të provohet se propozimi im do të na ofrojë mënyrën për të ecur përpara. Sinqerisht mendoj se ky propozim do të mbështetet nga të gjithë faktorët kyç ndërkombëtarë.”
Në raportin e tij që është paraqitur para Këshillit të Sigurimit, por edhe para presidentit Fatmir Sejdiu dhe homologut serb, Boris Tadiç, Ban Ki-Moon kërkon që Bashkimi Evropian gradualisht t’i marrë përgjegjësitë operacionale në fushat e policisë ndërkombëtare, drejtësisë dhe doganave në tërë territorin e Kosovës.
Moska është kundërshtare e hapur e këtij propozimi duke argumentuar se Bashkimi Evropian nuk ka mandat për të vepruar në Kosovë.
Ndërsa zyrtarët serbë kanë deklaruar se presin që ky plan t’u japë atyre të drejta më të mëdha për të administruar pjesën veriore të Kosovës, gjë që sipas analistëve do të ishte de fakto hapi i parë i ndarjes së shtetit. /tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle