Asgjë nuk e pengon Shqipërinë të aplikojë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian.

Kështu deklaroi komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, gjatë takimit të tij zyrtar në Bruksel me kryediplomatin shqiptar, Lulzim Basha. 

Në takimin me Rehn ministri Basha theksoi se përmbyllja e procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare, përparimi i deritanishëm në zbatimin e plotë dhe të kënaqshëm të marrëveshjes së ndërmjetme, vazhdimësia në rrugën e reformave, si dhe roli stabilizues i Shqipërisë në rajon, janë arritje të pamohueshme si dhe tregues të qartë se Shqipëria është gati të hedhë hapin tjetër në drejtim të integrimit të saj në BE.

Komisioneri Rehn nga ana e tij vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën evropiane.

Olli Rehn: “Unë mund t’ju siguroj se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor në tërësi. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbeten inkurajuese. Ajo ka bërë progres për demokracinë, sundimin e ligjit dhe implementimin e angazhimeve të dhëna ndaj bllokut. Ka punë për t’u bërë në kulturën demokratike, pavarësinë e institucioneve shtetërore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe në përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në përputhje me standardet ndërkombëtare. Këto janë kushte thelbësore në progresin e Shqipërisë në rrugën evropiane. Ne mirëpresim gjithashtu edhe miratimin e kodit të ri elektoral”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Ministri i Jashtëm, Basha, garantoi mes të tjerash angazhimin e Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Ne i garantojmë komisionit evropian, tha Basha, se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar në krijimin e standardeve më të larta për zgjedhjet e ardhshme dhe në këto standarde do të përfshihen të gjitha partitë e vogla dhe të mëdha./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle