Komisionieri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, u takua me presidentin maqedonas, Cervenkovski, me të cilin diskutoi mbi reformat e nevojshme për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe për politikën rajonale të Maqedonisë.
Bashkëpunimi i qeverisë me institucionet vendore dhe mes vetë forcave politike janë shumë të rëndësishme, veçoi Rehn, duke treguar se raporti i Nëntorit do të jetë objektiv nga komisioni evropian dhe përsa i takon zbatimit të kriterit të nëntë politik, ndërkohë komisioni evropian ka besim, u shpreh Rehn, se Maqedonia do të jetë në gjendje të japë zgjidhjen e duhur për çështjen e Kosovës për t’i kontribuar kështu stabilitetit rajonal.
Arta Tozaj: “Presidenti maqedonas, Branko Cervenkovski, tregoi në komisionin evropian se ka ardhur koha që qeveria Gruevski të japë një qëndrim mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij të gjitha afatet kushtetuese për diskutimin e kësaj çështjeje janë tejkaluar dhe se është në të mirë të Maqedonisë njohja e shtetit të ri të Kosovës”.
Afati për të analizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës ka kaluar dhe unë pres, thotë presidenti Cervenkovski, që kryeministri Gruevski të garantojë sipas kushtetutës se do të deklarohet për pavarësinë e Kosovës. Është në interesin e vendit ky qëndrim pasi Maqedonia e ka mbështetur që në fillim ndarjen e Kosovës.
Acarimi i marrëdhënieve mes presidentit dhe kryeministrit maqedonas nuk do të përfshihet në raportin e komisionit duke konsideruar si problem i brendshëm, ndërsa përsa i përket çështjes së emrit të dy palët deklaruan se ekziston vullneti politik, si nga pala greke ashtu dhe nga maqedonase për të gjetur zgjidhje gjatë këtij raundi bisedimesh./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj