Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, ka provokuar një debat të madh në Kosovë ku në fillim të kësaj jave takoi prokurorin serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviç.
Në Prishtinë askush nuk ka pritur që një kryeprokurore shqiptare të shpurë sërish në gënjeshtrën e madhe të ish-kryeprokurores së tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, atë të tregtisë me organe trupore që kinse e kanë bërë ushtarët e UÇK-së në një spital të improvizuar në veri të Shqipërisë, aq më tepër kur për këtë çështje prokurorët e Hagës nuk kanë gjetur asnjë dëshmi në hetimet që bënë menjëherë pas përfundimit të luftës së Kosovës.
Leonard Kërquki: “Ekzistojnë mendime të ndryshme nëse ishte e drejtë apo jo që Ina Rama të priste në zyrën e saj prokurorin serb për krimet e luftës, por këtu në Prishtinë dominon mendimi që Ina Rama me vetëdije apo jo duke pritur prokurorin serb për krimet e luftës në zyrën e saj tentoi që të materializonte një gënjeshtër të madhe, atë që përhapi zonja Carla Del Ponte në librin e saj “Gjahu”.”
Behxhet Shala: “Prokurori serb sigurisht i ndikuar edhe i dirigjuar nga partia serbe ka shkuar atje t’i vazhdojë apo t’i kërkojë leje për hetime për rastin, të cilin e ka parashtruar ish-kryeprokurorja e Hagës, dmth, thjesht një gënjeshtër ordinere tash në mënyrë shumë efikase po materializohet nga propaganda serbe edhe në këtë mozaik të gënjeshtrave ka munguar vetëm edhe një detaj e ky ka qenë takimi i prokurores së Shqipërisë, zonjës Ina Rama, me prokurorin për krimet e luftës…”.
Berat Buzhala: “Kurrsesi aty mbas pari kemi të bëjmë me një takim të krerëve të hetuesisë së dy vendeve. Aty nuk është marrë kurrfarë gjykimi. Nëse kryeprokurori serb për krime lufte ka kërkuar një takim me kryeprokuroren shqiptare për një çështje të caktuar ka qenë plotësisht normale”.
Ndaj takimit Rama-Vukçeviç kanë reaguar edhe mediat e Prishtinës. Gazeta Express këtë takim e interpreton si një ndihmë të Shqipërisë në kauzën serbe.
Artan Behrami: “Në një farë mënyre Shqipëria do të thotë me këtë rast se i ka ndihmu Serbisë të propagandojë idenë se UÇK-ja ka bërë krime ndaj serbëve civil në Kosovë”.
“Shkon ma mirë që mos ta takojë hiç se s’është në interes të kombit tonë”.
Beogradi po përpiqet që përmes hetimeve në çështjen e trafikimit të organeve trupore të dëmtojë imazhin e Kosovës në botë në kohën kur shteti i ri ka aq shumë nevojë për njohjen ndërkombëtare./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki