Krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste e Demokratike diskutuan për më shumë se dy orë me ambasadorin e OSBE-së Osmo Lipponen mbi reformën zgjedhore në ambientet e parlamentit gjatë pasdites.
Osmo Lipponen: “Do të ketë disa qartësime të mëtejshme teknike.”
Nisur nga rëndësia e çështjes së diskutimit, shefi i OSBE-së u shpreh optimist për rezultatin e takimit. Sipas tij, të dy palët shprehën vullnetin politik që komisioni i posaçëm parlamentar të vazhdojë punën për kodin zgjedhor duke vlerësuar dhe idetë e dhëna në tryezë për dy propozimet e grupit të ekspertëve.
Partia Socialiste nuk i lëshon pe opozitës, sqaroi përfaqësuesi në takim Gramoz Ruçi.
Gramoz Ruçi: “Kishim diferenca pikëpamjesh, mendimesh për punën e bërë deri tani dhe për rezultatin e deritanishëm. Përafruam qëndrimet dhe mendimet tona duke mos kthyer kokën pas për të ecur para.”
Sipas demokratit Topi, takimi u fokusua mbi pikat e protokollit të firmosur mes palëve në 1 korrik 2004 për të realizuar sa më shpejt reformën në funksion të votës së lirë të zgjedhësve; është rënë dakord për disa elemente teknike, tha Bamir Topi pa i sqaruar ato.
Bamir Topi: “Natyrisht këtë komision e ka prodhuar politika dhe sa kohë nuk ka konvergjencë politike për probleme esenciale, ky komision mbetet i bllokuar.” /tvklan.al