Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina do të ribashkohet me Luciano Spallettin dhe Gigi Buffon për të diskutuar disa çështje  të rëndësishme.

Takimi i parë i Club Italia do të zhvillohet sot në selinë e federatës në Romë.

Siç raportohet nga “Corriere dello Sport” , trajneri është kthyer së fundmi nga një pushim i shkurtër në ishullin e Ponza-s.

Gazeta italiane raporton gjithashtu se Buffon ka një rol të ri në përfaqësuese. Ish-portieri është emëruar Drejtor Sportiv i Italisë dhe jo vetëm shef i delegacionit të ekipit të parë.

Buffon u takua me Gravinën vetëm pak ditë pas eliminimit të Italisë nga EURO 2024 në fillim të korrikut dhe ra dakord të mbetej i përfshirë në projekt në një rol të ri.

Gravina foli me gazetarët të hënën, duke thënë se trajneri Luciano Spalletti është ‘më i zhgënjyeri’ nga eliminimi në raundin e 16-të të Euro 2024.

“Ne do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira për të forcuar aspektin teknik të ekipeve tona kombëtare. Përvoja e Buffon do të jetë e dobishme. Ne do të flasim me Spallettin, duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë të rëndësishëm që nuk i kishim në Euro dhe shpresojmë se mund të fillojmë sërish me entuziazmin që na mungonte në Gjermani. Nuk mund ta besoj se ky ishte niveli ynë” – tha Gravina, cituar sipas “Corriere dello Sport”.

Gravina, i cili është edhe nënkryetar i UEFA-s, është kthyer nga Berlini, ku ka ndjekur finalen e Euros mes Spanjës dhe Anglisë të dielën mbrëma.

Gravina: Nuk ishte bukur të shkoja në Berlin dhe të shihja Chiellinin të kthente trofeun që kishim fituar tre vjet më parë me gëzim të madh, por ky është futbolli. Bie poshtë dhe ngrihesh sërish. Duhet të punojmë dhe të programojmë. Të gjithë jemi të hidhëruar. Këtë ndjesi e ndaj me tifozët, futbollistët dhe trajnerin.

/tvklan.al