Intensifikimi i marrëdhënieve dhe dialogut midis dy vendeve, ishte në qendër të takimit që kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano zhvilloi me presidentin e Republikës greke Kostantinos Stephanopoulos. Kreu i qeverisë sonë u shpreh se Greqia është një partner strategjik në procesin e integrimit evropian. Ai vlerësoi politikën e shtetit helen në drejtim të emigrantëve shqiptarë dhe vuri në dukje kontributin konstruktiv të vetë presidentit Stephanopoulos. Kryeministri Nano tha se Tirana zyrtare do të mirëpriste çdo vendim të ri të shtetiti grek që do të ndikonte në integrimin civil, kulturor dhe social të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Zoti Nano takoi edhe ministrin grek të Punësimit dhe Mbrojtjes Sociale. Gjatë bisedës u shqyrtuan probleme të punësimit të emigrantëve dhe sigurimeve shoqërore të tyre. Ministri grek tha se ka ende shumë probleme me emigrantët që i interesojnë qeverisë shqiptare, por i interesojnë edhe qeverisë greke. Pas Lojrave Olimpike do të eksplorojmë dhe do të gjejmë me shpejtësi terrenet e përbashkëta për të bërë rregullimet e domosdoshme, deklaroi ministri grek i Punësimit. Gjithashtu kryeministri Nano u vlerësua nga kryetarja e Bashkisë së Athinës me Medaljen e Artë të këtij qyteti që u jepet personaliteteve të shquara. /tvklan.al