Vazhdimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kjo do të jetë tema kryesore e takimit mes presidentit Joe Biden dhe presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën e ardhshme.
Më shumë hollësi për takimin e së mërkurës dha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, të dielën në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të rrjetit CBS.
Mesazhi kryesor i presidentit Biden do të jetë angazhimi për të siguruar transferimin paqësor të pushtetit. Presidenti Biden, sipas zotit Sullivan, gjithashtu do të bisedojë me Presidentin e zgjedhur Trump për zhvillimet e mundshme në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme.
“Presidenti Biden do të ketë mundësinë, gjatë 70 ditëve të ardhshme, t’i paraqesë Kongresit dhe administratës së ardhshme argumentet se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ulin mbështetjen për Ukrainën, dhe se largimi nga Ukraina nënkupton më shumë destabilitet për Europën,” tha zoti Sullivan.
Trump është zotuar se do t’i jap fund me shpejtësi luftës, megjithëse nuk ka dhënë detaje.
“Presidenti Biden do të argumentojë nevojën për burime të vazhdueshme për Ukrainën pas përfundimit të mandatit të tij dhe do të ketë mundësinë t’i shpjegojë zotit Trump sesi e vlerëson situatën dhe të marrë mendimin e zotit tij si do t’i trajtojë ai këto çështje kur të marrë drejtimin e vendit”, tha këshilltari Sullivan.
Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës dhjetëra miliarda dollarë në ndihma ushtarake dhe ekonomike që kur Rusia filloi sulmin në shkurt të vitit 2022. Presidenti i zgjedhur Trump i ka kritikuar vazhdimisht këto ndihma.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, gjithashtu tha se është Hamasi, jo Izraeli, ai që po pengon arritjen e një armëpushimi në Gazë.
Klan News