Konflikti mes grabitësit të Rinasit dhe viktimave për një shumë parash
Talo Çela, personi i vetëm që nuk është arrestuar për grabitjen një viti më parë të rreth 4.6 milionë eurove në pistën e Rinasit, është shpallur në kërkim edhe për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj pasditen e 27 Prillit në Durrës. Emri i 49-vjeçarit nga Elbasani është përmendur nga Klevis Alla, i arrestuar më parë për vrasjen e dyfishtë.
22-vjeçari Alla, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka treguar përballë hetuesve se Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bëjnë me dije se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të këtij viti.
Përveç Çelës në kërkim është shpallur edhe Nuredin Dumani, që dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve. Prokuroria e Durrësit ka dalë në përfundimin se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë e ka transferuar dosjen në SPAK.
Për vrasjen e dyfishtë në Durrës janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Ndoci ka mohuar të jetë përfshirë në atentat. Emri i tij është përmendur nga Klevis Alla që ka treguar edhe vendin ku fshehën armët dhe makinën pas krimit.
Tv Klan