Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vetëm për periudhën Janar-Gusht në vendin tonë janë regjistruar 467 raste zjarri në pyje dhe kullota, ku më tepër se gjysma janë shënuar në muajt Korrik-Gusht. Në pjesën më të madhe të rasteve shkak për këto vatra zjarri të shpërndara kryesisht në jug të vendit, kanë qenë barinj, të cilët i vendosin zjarrin pyjeve për hapjen e tokave bujqësore.

Deri tani, vlera e dëmit që kanë shkaktuar këto vatra zjarri, llogariten në 5.7 milion lekë, që sipas Agron Dukës, Ministri i Bujqësisë dhe njëherësh kryetar i grupit Task Force për pyjet, nuk është një shumë e konsiderueshme.

Agron Duka:- “Por nuk është problemi i dëmit ekonomik, se sa janë probleme të tjera, sepse zjarret në pyje shkaktojnë dëme të mëdha që lidhen me shtimin e erozionit, si rezultat i sipërfaqeve të zhveshura, pakësimin e rezervave ujore, dëmtimin e faunës, dëmtimin e peizazhit, mjedisor, ekologjik etj. Aktualisht, përllogaritjet e këtyre dëmeve që thashë më sipër, nuk ka, sepse nuk përfshihen, sepse komponetët e mësipërm, për arsye të mungesës së logjistikës dhe pajisjeve që nevojiten për këtë qëllim. Kështu që me dëm ekonomik konsiderohet vetëm lënda drusore e djegur, e cila është 5.7 milion lekë, që për mua s’është e konsiderueshme”.

Në mbledhjen emergjente që grupi task forcës për pyjet zhvilloi sot, u ngrit si problem shqetësues mungesa e mjeteve më elementare, që duhet të kenë zjarrfikësit në dispozicion për shuarjen e zjarreve. Deri tani, personeli i shërbimit pyjor ka punuar me mjete primitive për shuarjen e zjarreve. Mos mbërritja e zjarrfikësve në kohë është bërë jo në pak raste shkak që përhapja e flakëve e favorizuar dhe nga temperaturat e larta të shtrihet dhe në sipërfaqe të mëdha./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka