Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka paditur për shpifje në Gjykatën e Tiranës deputetin demokrat Ervin Salianji. Padia vjen pas akuzave të deputetit të PD, i cili një ditë më parë tha se Taulant Balla kishte udhëtuar me makinën e tij dhe me charter me Edmond Begon, ky i fundit i dënuar më parë në Itali për trafik droge.
Deputeti Salianji i kërkoi kreut të grupit të PS të tregojë se kush i financoi këto udhëtime. Ndërkohë, Taulant Balla kërkon dëmshpërblim prej 10 milionë Lekësh të vjetra.
“Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga aktorët e SHQUP-it, e që kazani politik e mediatik u jep zë pa asnjë verifikim edhe kur vërtetohen si të rreme, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Të ardhurat nga çdo shpifje për fondin e edukimit”
, shkruan Taulant Balla në Facebook.
Disa ditë më parë, deputeti Salianji publikoi edhe një video në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ishte regjistruar Fredi Alizoti që thoshte se e kanë shantazhuar për t’u shtirur si Agron Xhafaj në bisedën telefonike me Albert Veliun, “Babalen”. Ndër të tjera, ai tha se është takuar edhe me Taulant Ballën.
Pas këtij publikimi, deputeti Salianji ka akuzuar socialistin Balla si personin që është takuar me Fredi Alizotin për t’i ofruar shpërblim në këmbim që të shtirej si Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. /
tvklan.al