Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Numri i të ardhurve nga Kosova në Elbasan ka mbrritur në shifrën e dhjetë mijë vetëve. Aktualisht funksionojnë 6 kampingje dhe pika vendosjeje për pjesën dërrmuese të të ardhurve. Miratimi i një fondi prej rreth 22 milion lekësh të reja nga qeveria për këtë rreth ka bërë të mundur kapërcimin e emergjencës.
Ndërkohë që në banesat e qytetarëve kanë gjetur strehë rreth 5500 persona. Ndërkaq shumë të ardhur janë shpërndarë nëpër komuna dhe qytete të tjera të kësaj prefekture. Rreth 70 fëmijë të ardhur nga Kosova në qytetin e Librazhdit kanë nisur frekuentimin e procesit mësimor në shkollat e këtij qyteti. Kjo është mundësuar në saj të kujdesit treguar mes prindërve librazhdas dhe atyre të fëmijëve kosovar.
Në klasat e ciklit 8-vjeçar frekuentimi gjatë këtyre ditëve ka qenë i rregullt ndërkohë që drejtuesit e drejtorisë arsimore të rrethit shprehen se po përgatisin një projekt të posaçëm për të mundësuar administrimin e kohës edhe për fëmijët e ardhur të cilët janë të shumtë dhe të vendosur në rrethana të ndryshme./tvklan.al
Gazetar – Aleksandër Çipa