Me dhjetëra të dënuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin protestojnë nëpërmjet një peticioni duke denoncuar për herë të parë një fenomen korrupsioni brenda hekurave dhe qelive.
Kjo është letra që disa prej të dënuarve dhe të paraburgosurve në Peqin i kanë dërguar për dijeni Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe organizatave që merren me respektimin e të drejtave të njeriut duke kërkuar ndërhyrjen dhe monitorimin e veprimeve administrative brenda qelive të burgut.
“Shefi i policisë së burgut, Kamber Hoxha, u jep leje të dënuarve, të cilët plotësojnë kriteret, dmth me burg pak, por ju jep leje dhe të tjerëve që nuk plotësojnë asnjë kriter dhe që shefi i policisë me punën e lejeve po abuzon dhe po bën biznes dhe u thotë të dënuarve kush kërkon të shkojë me leje dua 100 euro për një ditë.”
Krerë të lartë të burgjeve, Avokati i Popullit, si dhe drejtues që asistojnë organin qendror të akuzës për problemet ligjore brenda burgjeve shqiptare deklarojnë për Klan se janë duke hartuar një strategji të re të funksionimit të administratës në burgjet shqiptare.
Asnjë nga këto denoncime që bëhen publike në letrën e të dënuarve nuk përgënjeshtrohet.
Ata pranojnë se problemet ekzistojnë dhe se korrupsioni i stafit brenda qelive është i paevitueshëm.
Aktualisht po punohet në kualifikimin e një stafi të përzgjedhur për t’u zëvendësuar me atë aktualin.
Vetëm kështu të dënuarit dhe të paraburgosurit do të trajtohen ndryshe, ndërsa korrupsioni i policisë brenda qelive do të jetë më i kontrolluar./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani