“Na shkelen të drejtat dhe liritë themelore”
Të gjithë të paraburgosurit e Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale nr 302, Mine Peza në Tiranë prej orës 12 të mesditës së sotme, kanë hyrë në grevë urie pa afat.
Në një letër publike shpërndarë për mediat dhe dërguar Presidenti te Republikes, Kryeministrit, Ministres të Drejtësisë, Prokurorisë të Përgjithshme dhe Përfaqësive te Huaja ne Republikën e Shqipërisë thuhet se qëllimi i grevës së urisë është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore.
Në letrën me 8 kërkesa shtrohen si probleme “ajrimi si në të gjitha burgjet e tjera, kërkohet lejimi i takimeve me familjarët për raste gëzimi apo hidhërimi, lejimi i bombolave të gazit, të lejohen aktivitetet sportive, të rritet cilësia e ushqimit me standardet e BE-s, të përshtaten dhomat e takimit me familjarët pa u krijuar atyre stres, të ndalet dhuna fizike dhe psikologjike, si dhe të respektohet rregullorja për sendet e ndaluara në qeli duke mos e lënë në dorë të drejtuesve që abuzojnë.
Këta të burgosur kundërshtojnë edhe aplikimin e regjimit BIS-41 pasi sipas tyre ai është i vlefshëm për struktura mafioze dhe jo për ta.
Tv Klan