Të dënuarit shqiptarë në Greqi kanë njoftuar se kanë nisur një grevë urie duke pretenduar se u janë shkelur të drejtat sa i takon lirimeve me kusht.
Pjesë e grevës janë edhe të dënuar të kombësive të tjera. Me anë të një deklarate të lëshuar, ata kërkojnë nga ana e institucioneve të drejtësisë në Greqi që të merren masa për kërkesat e tyre.
Këto të fundit lidhen me rregullimin e kuadrit ligjor për lirimet me kusht, në mënyrë që së pari të zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe të mos cenohet e drejta që të trajtohen me ligjin me të butë.
Kështu të burgosurit pretendojnë se drejtësia greke nuk u njeh të drejtën e lirimit me kusht dhe po i mban në burg në mënyrë të paligjshme.
Sipas informacioneve të disa prej të dënuarve ata kanë 1-2 vite që janë në pritje për të shqyrtuar kërkesat e tyre për lirim me kusht, ndërkohë janë afro 16 mijë të dënuar dhe paraburgosur që deri në fund të korrikut mund t’u bashkohen grevës.
Tv Klan