Sot në tregjet ndërkombëtare valutore dollari amerikan u shkëmbye qëndrueshëm ndaj monedhës së përbashkët evropiane pas humbjeve spektakolarë që shënoi të premten pas publikimit të të dhënave mbi tregun e punës në Shtetet e Bashkuara për muajin korrik.
Lajmet, se ekonomia amerikane për muajin korrik kishte krijuar vetëm 32 mijë vende të reja pune ndërkohë që tregjet financiare prisnin një shifër prej 200 mijë vendesh, bënë që dollari amerikan brenda pak minutash të humbiste gati 2 cent ndaj monedhës së përbashkët. Gjithashtu dollari amerikan humbi terren ndjeshëm dhe ndaj stërlinës angleze, frangës zviceriane etj. Në orët evropiane të shkëmbimeve monedha e përbashkët evropiane u shkëmbye në nivelet 1 euro = 1.226 dollarë.
Sipas ekspertëve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor dollari amerikan është zhvlerësuar gati 1 lek ndaj monedhës sonë kombëtare pas humbjeve të ndjeshme që shënoi të premten në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që leku ka humbur pikë ndaj monedhës së përbashkët. /tvklan.al