Lajme Arkiva 2003

Në orët evropiane të shkëmbimeve Dollari amerikan shënoi nivelet më të ulëta të tre muajve të fundit ndaj monedhës së përbashkët Euro, ndërkohë që në tregjet valutore po dominon shqetësimi i investitorëve mbi forcën reale të ringritjes evropiane.

Një sërë të dhënash ekonomike më të dobëta nga parashikimet e tregjeve financiare duket se kanë tronditur disi besimin e investitorëve mbi ekonominë më të madhe botërore, gjë që mund të shikohet në vlerën e Dollarit ditët e fundit.

Mbyllja e djeshme pozitive e bursave njujorkeze indekset e të cilave shënuan një rritje për 2% nuk arriti të mbështeste monedhën amerikane.

Sot në mesditë monedha e përbashkët evropiane u shkëmbye në nivelet 1 Euro baras me 1.17 dollarë. Sipas specialistëve të bankës italo-shqiptar në tregun tonë të brendshëm valutor, monedha jonë kombëtare Leku është vlerësuar sërish ndaj monedhës amerikane ndërkohë që është këmbyer e qëndrueshme ndaj monedhës së përbashkët evropiane./tvklan.al