Manastirliu: Bëhemi gati për spitalin COVID 2
Të gjitha urgjencat kirurgjikale prej të premtes do të priten dhe trajtohen në Spitalin Universitar të Traumës. Kjo masë është marrë për të kufizuar përhapjen e koronavirusit si dhe për të krijuar korridoret e nevojshme sanitare në spitalet ku do të trajtohen rastet me COVID-19.
“Është një vendim që është marrë së bashku me komitetin teknik dhe me drejtuesit e burimeve njerëzore, gjithmonë për të mundësuar lehtësimin e spitaleve tona, QSUT dhe spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe vendosjen e të gjithë urgjencave të kirurgjisë por edhe atyre të patologjive malinje, për t’u realizuar në Spitalin Universitar të Traumës”, tha ministrja.
Gjatë inspektimit të masave të marra tek Spitali Universitar i Traumës, Manastirliu njoftoi që kanë filluar përgatitjet për hapjen e spitalit të dytë COVID, i cili do të jetë Spitali Univesitar “Shefqet Ndroqi”.
“Jemi duke u përgatitur për hapjen e spitalit të dytë COVID, “Shefqet Ndroqi”, ku po bëhet një organizim i mirëfilltë përsa i përket kapaciteteve që do të shtohen aty me burime njerëzore dhe gjithashtu gjithë organizimit për t’i bërë ballë këtij infeksioni”, tha Manastirliu.
Aktualisht ka nisur trajnimi i mjekëve, infermierëve, farmacistëve, ekspertëve të shëndetit publik dhe studentëve të Mjekësisë që i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’ju bashkuar frontit të parë të luftës me COVID-19.
Tv Klan