“Koha për t’u kthyer në shtëpi” është një dokumentar historik nga Admirina Peçi për gjenocidin grek në Çamëri. I mbushur plot me rrëfime drithëruese, dëshmi të masakrave, përdhunimeve dhe dëbimeve të  popullit çam nga trojet e veta të cilat do të keni mundësi t’i shihni në datën 12 qershor, ora 19:30 në kinema “Millenium”.

Luela Myftari është mbesa e katër gjysheve çame që e kanë rritur me historitë e dhimbshme, tragjike që kanë përjetuar në lëkurë. Të gjitha kanë ardhur në Shqipëri kur kanë qenë rreth moshave 5-13 vjeç nga Paranthia ku ishte qendra e gjenocidit dhe Grigohori (Igumenica e sotme).

Një copëz të rrëfimit të njërës prej gjysheve, Luela e ndan me programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Pengu i vetëm i gjyshes ishte të kthehej edhe njëherë në shtëpi e të qante vëllanë që ia ekzekutuan në moshën 21-vjeçare në shkallët e saj.

Luela Myftari: Në këtë pikë duhet thënë që në fshatra të ndryshme, masakrat kanë qenë të ndryshme. Ajo e Paranthisë ka qenë më e vështira dhe nëse do ta shohësh në këtë këndvështrim ëndrrën e tyre për t’u kthyer në shtëpi, është një ëndërr për të prekur në njëfarë mënyre, derën e shtëpisë, pragun, për të vënë në vend ndoshta atë gurin që e  kanë marrë me vete kur kanë qenë fëmijë apo që ua ka dhënë xhaxhai, burri i shtëpisë me të cilin kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, ndërsa për të tjerë është shumë e vështirë të kthehen sepse traumat, historitë që kanë përjetuar janë shumë të forta.

Sikurse ka njerëz që duan të kthehen për të kryer këtë promemorien e tyre, në rastin e gjyshes time thoshte vetëm të hyj në shtëpi, të hap derën dhe pa diskutim të qaj në shkallët ku më kanë vrarë vëllanë. Asaj ia vranë vëllanë 21 vjeç teksa zbritën në orën 5 të mëngjesit dhe ajo e ka treguar këtë histori kushedi sa herë dhe ti e kupton që çdo detaj e mbante mend në mënyrë të jashtëzakonshme dhe  përpiqej të mos e harronte këtë, edhe pse 94 vjeç, vijonte ta tregonte me të njëjtat detaje si ajo e kishte përjetuar dhe vajzat e tjera pa diskutim sepse kryesisht ato që mbetën gjallë ishin vajza, djemtë u ekzekutuan dhe asaj ia kanë vrarë para syve vëllain 21 vjeç.

Pengu i saj i madh ishte të shkonte te ato shkallë ku zbritën dhe atë mëngjes u shpërthyen dyert nga ushtria greke, i rreshtuan të gjithë në hollin e madh për të bërë apelin, për t’i tërhequr vathët nga veshët. Për shembull, nënat çame po t’i shohësh, i kanë veshët të çarë sepse ua kanë shkulur florinjtë nga veshët, kanë marrë pasurinë, kanë bastisur shtëpitë, kanë vrarë djemtë e shtëpisë dhe janë detyruar të largohen ashtu si mundën, vetëm me një çarçaf, me disa tesha, rroba dhe të drejtohen drejt Shqipërisë në atë kohë sepse ishte  gjuha që i bashkonte, ishte një komunitet shqiptar që jetonte në Çamëri.

Në këtë këndvështrim, gjyshja ime ëndërronte të kthehej në Çamëri vetëm për mos ta mbajtur këtë peshën e një humbjeje të vëllait, gjithë të tjerëve por ajo e vëllait ishte më e rëndë sepse ishte 21 vjeç, e donte shumë, kujdesej shumë për të dhe është një lloj pengu që unë dua të çlirohem nga kjo dhimbje e madhe që kam dhe ta qaj vëllanë aty ku e kam lënë./tvklan.al