“Antigona kërkon të atin” është premiera më e re e dramës shqipe që do të çelë më 25 shtator sezonin artistik në Teatrin Kombëtar. Përtej Antigones së Sofokliut që rreket me mish e shpirt kundër vullnetit të mbretit, të varrose eshtrat e të vëllait të vrarë, Antigona shqiptare, shkruar nga regjisori Mihal Luarasi, rrëfen përpjekjet e saj për të gjetur eshtrat e të atit, të ekzekutuar pa gjyq në kohën e diktaturës komuniste, një lëngatë e pashtershme e sa e sa njerëzve që kanë humbur eshtrat e të parëve të vet.

Mihal Luarasi: “Kërkimi i këtyre eshtrave dhe varrimi i tyre ceremonial nga shteti do të bëhet shumë shpejt. Tingëllimin kryesor, drama e ka në lidhje me ndjesën, me kërkimin të falur për qoftë nga ata që janë gjallë edhe ka nga ata që janë akoma gjallë, po qoftë ata që s’janë gjallë po janë trashëgimtarë të atyre fajtorëve të atëhershëm që ende nuk kanë kërkuar një të falur publike për krimet e asaj kohe”.

Bashke me premierën e parë të sezonit teatror, Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, prezanton edhe disa nga shfaqjet e këtij sezoni.

Kristaq Skrami: “Shumë shpejt do të publikojmë edhe kalendarin deri nga fundi ose ditët e para të muajit shkurt 2010. Janë pothuajse të gjitha shfaqjet që janë repertor të Teatrit Kombëtar dhe njëkohësisht dhe premiera të jetë e re, tjetër që është vigjinol që do të jetë nga fillimi i muajit nëntor. Ndërkohë presim konfirmimin dhe nga Kosova-Prishtina, janë dy shfaqje që ata presin o “çifti martin” o dikë tjetër që ata duhet ta vendosin këto ditë”./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani