Janë shpërthime emocionale të pas suksesit në skenë të tragjedisë antike greke, “Trojanët” e Europidit. Shfaqur si premierë në 18 korrik në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Butrint dhe më 21 korrik në festivalin e Vironas në Athinë. Në kryeqytetin grek për këtë ngjarje u mblodhën mijëra emigrantë apo dhe ish-artistë shqiptarë që jetojnë në këtë vend, duke shënuar një numër rekord spektatorësh, 5 mijë vetë vetëm për 2 shfaqje.
Në 26 shtator Trojanët do të kalojnë provën e tretë atë në sallën e mbyllur të Teatrin Kombëtar, teatër që në gjithë historinë e tij 60 vjeçare pret të përjetojë për herë të parë me Trojanët, madhështinë e tragjedisë antike greke.
Kristaq Skrami: “Në Athinë trupa e Teatrit Kombëtar, në festivalin e Vironas, një festival prestigjioz i cili zhvillohet prej 20 vitesh, në zemër të Athinës të themi në djepin e tragjedisë greke, Teatri Kombëtar shpalosi vlerat e tij.”
Misioni vazhdimisht i pamundur i regjisorëve shqiptar për kryeveprat antike u bë i mundur këtë herë falë bashkëpunimit greko-shqiptar. Regjisori i shfaqjes është greke Vangelis Theodoropoulos, ndërsa asistenti i tij është aktori i njohur shqiptar në Greqi Laert Vasili. Nëse stafi teknik artistik është greko-shqiptar aktorët janë zgjedhur të gjithë shqiptar.
Interpretojnë aty veterania e skenës Margarita Xhepa, por dhe aktorët Raimonda Bulku, Luiza Xhuvani, Guljelm Radoja, Ema Andrea, Neritan Liçaj etj. Teatri Kombëtar në konferencë për shtyp të drejtorit të tij ka bërë sot dhe një bilanc për mbylljen e sezonit, i cili konsiderohet si i suksesshëm.
Kristaq Skrami: “Siç e shihni nga repertori që është duke ndjekur Teatri Kombëtar po i drejtohet veprave dhe autorëve të mëdhenj, veprave më përmasa, veprave që e nderojnë dhe duhet të përfaqësojnë Teatrin Kombëtar.”
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janar-qershor, numri i biletave rezulton 50% më i lartë. Kjo falë zbatimi të një marketingu më të mirë për ta shndërruar teatrin simbol të klasikes në një art më në modë./tvklan.al