Me llogaritë e sezonit të përfunduara me trofeun e Champions League, tek Real Madrid po mendojnë për sezonin e ardhshëm. Gjithçka varet nga Kylian Mbappe, pista që e afron gjithnjë e më shumë me kalimin në Spanjë. Duke iu referuar mediave spanjolle, Reali po përgatitet për të njoftuar transferimin e Mbappe si lojtar i lirë.
Kapiteni i Francës do t’i bashkohet gjigantëve spanjollë kur kontrata e tij me Paris Saint-Germain skadon më 30 Qershor. Los Blancos do ta konfirmojnë ardhjen e 25-vjeçarit përpara se ai të vazhdojë me përgatitjet për në Euro 2024.
Mbappe ka qenë prej kohësh i lidhur me Real Madridin, duke refuzuar një ofertë në vitin 2021. Edhe një sezon më vonë u afrua me kalimin në La Liga, por asokohe zgjodhi të zgjas kontratën me PSG-në.
Sulmuesi 25-vjeçar, i cili fitoi Kupën e Botës në 2018, iu bashkua PSG-së nga Monaco në gusht 2017 për 180 milionë Euro. Gjatë kësaj eksperience, falë kontributit të tij, e ndihmoi skuadrën franceze të fitojnë pesë tituj të Ligue 1, ndërsa u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit me 256 gola në 308 paraqitje.
Klan News