Rama, Politike me kutitë në ditën e Pavarësisë

Liderët e partive të majta janë mbledhur në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë për të festuar Ditën e Pavarësisë. Bashkë me to kurora me lule në monumentin e Pavarësisë kanë vendosur edhe përfaqësues politik të qeverisë edhe deputetë të mazhorancës. Në emër të qeverisë zv/kryeministri Meta tha, se kjo është një ditë e shënuar për të gjithë kombin shqiptar.

Ilir Meta: “Është një ditë sot e cila është shumë e pasur sesa një vit më parë, në drejtim të arritjeve të vendit tonë. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria ka hyrë në një proces të ri, atë të përgatitjes për anëtarësim në BE”.

Deputetët e Partisë Demokratike në Vlorë e kanë quajtur të turpshme prezencën e kryesocialistit Rama në “Sheshin e flamurit”.

Ardian Kollozi: “Pamë një shfaqje të papranueshme. Një kryetar të opozitës i cili ndërhyn në festën e përgatitur nga ne, pa protokoll edhe pa lajmëruar, në një garë shpejtësie, në një garë se kush do të vinte kurorat i pari, në një garë që në fakt nuk ka për qellim nderimin e ngjarjes, nuk ka për qëllim respektimin e evenimentit, por ka për qëllim shtrirjen e ndasisë, shtrirjen e kufizimeve, shtrirjen e  luftës politike të opozitës dhe në një ngjarje të tille”.

Në të vërtetë  krye-socialisti e shfrytëzoi këtë ditë për të artikuluar sërish akuzat ndaj Berishës dhe mazhorancës, për mos hapjen e kutive të votimit.

Edi Rama: “28 nëntori i këtij viti na gjen në një moment jashtëzakonisht delikat për demokracinë. Na gjen në një moment kur opozita shqiptare është jashtë parlamentit dhe kur parlamenti është jashtë binarëve të Kushtetutës. Na gjen me vetëdijen e lartë, se detyrimi ynë për mbrojtjen  e votës së lirë është më i madh së çdo interes vetjak”.

Aktivitetet me rastin e 28 nëntorit në “Sheshin e flamurit” kanë vijuar me koncertet e organizuara nga Qendra Kulturore e Bashkisë Vlorë./tvklan.al