Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas situatës së krijuar ditët e fundit, pasditen e djeshme në Likovë, deputetë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë u takuan me përfaqësues të grupeve të armatosura shqiptare e me banorë të zonës në prani të përfaqësuesve ndërkombëtar në Maqedoni.

Personat e armatosur kërkuan lirimin e luftëtarëve shqiptarë nga burgu, heqjen e flet-arresteve kundër tyre, respektimin e plotë të amnistisë, si dhe të tërheqjen e postblloqeve policore. Zona e krizës vazhdon të mbetet ajo përreth fshatrave Vaksinc dhe Llojan, të rrethuara nga forcat policore ushtarake maqedonase, ku ndodhen luftëtarë të AKSH.

Edhe banorët shqiptarë i kanë bërë thirrje policisë maqedonase, të tërhiqet nga pikat e kontrollit. Forcat maqedonase të sigurisë e hodhën poshtë ultimatumin e lëshuar nga AKSH, e cila kishte kërkuar tërheqjen e tyre nga zona e Kumanovës. Kërkesa e shantazhe të tilla nuk i marrim parasysh, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë dhe nuk kemi ndërmend të negociojmë me grupe ekstremistësh.

Tensione në zonë shpërthyen pas rrëmbimit dhe mbajtjes peng për një kohë të shkurtër të dy policëve./tvklan.al