Një ditë më parë anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të kongresit amerikan, Dana Rohrabacher, vlerësoi se e vetmja zgjidhje funksionale për stabilizimin e rajonit të Ballkanit do të ishte një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke iu referuar tensioneve në Luginën e Preshevës, Rohrabacher propozoi që zonat e kufirit me popullsi shqiptare, të bëhen pjesë e Kosovës ndërsa ato në veri të lumit Ibër e që banohen kryesisht nga serbë të bëhen pjesë e Serbisë.
Por nga ana tjetër shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë kërkuar bisedime të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për të tejkaluar dallimet mes dy kaheve.
Përmes një deklarate për shtyp, spektri politik shqiptar bën thirrje për krijimin e institucioneve rajonale të shqiptarëve në zonë që do të çonte në formimin e rajonit të posaçëm të Luginës së Preshevës parandalimin e përkeqësimit të situatës politike dhe të sigurisë dhe ndërprerjen e aksioneve të policisë speciale si dhe çmilitarizimin e rajoni.
Por mundësia e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kundërshtuar edhe nga sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.
Sipas tij, nuk ekzistojnë kushtet për një zgjidhje të tillë ndaj ai ka paralajmëruar për forcimin e institucioneve paralele të Serbisë në vend.
Ndërhyrja e Serbisë promovohet edhe nga peshkopi Artemije, i cili ka porositur serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 15 Nëntorit që i ka cilësuar si një kurth dinak për njohjen e pavarësisë. /tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle