Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e kësaj të shtune në Kamëz.
Policia thotë se në rrugën “New York”, më saktësisht tek “Rrethi i Bathores”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga një makinë në drejtim të një automjeti tjetër.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka të lënduar në njerëz. Uniformat blu thonë se kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet për gjetjen e automjetit dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se bëhet fjalë për një sherr mes dy personave. Njëri prej tyre ka ikur me makinë dhe tjetri e ka ndjekur nga pas duke e qëlluar me armë.
Në vendin e ngjarjes uniformat blu kanë gjetur 1 gëzhojë. Policia thotë se po këqyren disa kamera sigurie në zonë dhe deri më tani mbetet i paqartë motivi i ngjarjes.
Ndërkohë policia ka dërguar për ekzaminim gëzhojën për të zbuluar edhe llojin e armës./tvklan.al