Para Euro 2024, sulmuesi Sokol Cikalleshi, njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare, aty ku dha kontribut të rëndësishëm në kualifikuese dhe jo vetëm.
Lojtari kavajas, u largua pas një karriere të gjatë te Shqipëria, ku është një nga futbollistët me më shumë prezenca në Kombëtare teksa numëron 60 ndeshje me fanellën kuqezi si edhe 13 gola të shënuar.
Federata Shqiptare e Futbollit, ka falënderuar sulmuesin për kontributin e dhënë me fanellën kuqezi dhe i uron suksese në karrierën e tij.
“60 ndeshje, 13 fola dhe kilometra pafund. Rrugëtimi i paharrueshëm i Sokol Cikalleshit në Kombëtaren kuqezi është mbyllur. FSHF e falënderon për kontributin e dhënë përgjatë 10 viteve, me gola, asiste, me djersën e derdhur në fushë për të ndihmuar ekipin tonë në arritjen e rezultateve historike”, shkruhet në postimin e FSHF.
Sulmuesi ka qenë pjesë e Shqipërisë në Europianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e kuqezinjve në finalet e një turneu madhor. Ai debutoi me fanellën kuqezi në miqësoren Shqipëri-Rumani, të luajtur më 31 maj 2014, ndërsa paraqitja e tij e fundit me Kombëtaren ishte në miqësoren Suedi-Shqipëri të 25 marsit 2024 të luajtur në Stokholm. /tvklan.al