Prej gati dy javësh nga katastrofa e 26 Nëntorit ku 51 persona humbën jetën dhe qindra persona u plagosën ende nuk ka asnjë person që të përgjigjet para drejtësisë.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, deklaroi këtë të hënë se prokuroria ka marrë prova nga të gjitha ndërtesat. Ai deklaroi se Instituti i Ndërtimit është i detyruar që në praninë e një oficeri të Policisë Gjyqësore të marrë prova nga elementët konstruktiv të ndërtesave.  

“Prokuroria në këtë moment, ashtu sikurse menjëherë nga kalimi i fazës së traumës filloi menjëherë të interesohet për marrjen e provave sidomos në objektet që ka pasur viktima. Domethënë u ndalua shkatërrimi i pjesës ekzistuese të ndërtesave… u shkatërruan pasi u morën provat. Padyshim. Tek ato me viktima po se po, por me vonë dhe në vijim, çdo objekt që do të shkatërrohet Instituti i Ndërtimit është i detyruar në praninë e oficerit gjyqësor të marrë prova nga elementët konstruktiv që do të thotë në themele, kolona, trarë, apo kulla, diafragma, apo kullat e ashensorëve”, tha Shkreli.

Shkreli shtoi se këto prova janë të natyrës materiale për të vërtetuar më vonë nëse fajin e ka projektuesi apo zbatuesi.

“Provat janë të natyrës materiale që do të thotë merren kampione të betoni, të cilat më vonë të provohen. Merren prova të seksioneve të kolonave se si janë vënë aty, që shikohet nëse është zbatuar projekti. Kjo nxjerr përgjegjësinë nëse e ka projektuesi apo zbatuesi”, tha Shkreli, i cili shtoi se edhe te ndërtesat pa projekt provat do të merren njësoj. /tvklan.al