Kë dëmtuan politikisht protestat pas vrasjes së Klodian Rashës? Ishte kjo tema që u diskutua këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Për përfaqësuesin e PS-së, deputetin Adnor Shametin, kanë humbur qytetarët shqiptarë pasi është prishur qetësia e tyre. Ai tha se ka prova me zë dhe figurë që përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare janë organizuesit e protestave.
“Ka humbur prishja e qetësisë së shqiptarëve. Dua të sqaroj që qëndrimi i kryeministrit Rama ka qenë një qëndrim korrekt. Është e provuar me zë dhe me figurë që organizatorët e protestës kanë qenë përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare. Kemi foto dhe video të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare në këto protestat e organizuara në ditët e fundit në Tiranë”, tha Shameti.
Por nga ana tjetër, përfaqësuesja e PD-së, Grida Duma, mohoi gjithçka. Ajo tha se PS-ja nuk ka asnjë provë, pasi në se do ta kishte do ta kishte bërë me kohë publike.
Duma tha se ka qenë vetë në protestë, por si qytetare dhe nënë. Protestat e të rinjve ajo u shpreh se i ka konsideruar si “një lloj qelize Pranvere arabe”.
“Nuk ka asnjë provë sepse nuk ka. Nëse do të kishte një provë të vetme të jeni të sigurt se PS-ja e ka nisur 2013-ën e ka nisur marrjen e mandatit duke fajësuar kundërshtarin. Nuk e bëmë dot Shqipërinë se kështu na e lanë ata, nuk e ulë dot borxhin se na e lanë ata. Kjo është mënyra me të cilën i qasen problemit. Unë ju siguroj, në atë protestë jam gjendur ndonjë ditë. Nuk e kam bërë publike. Arsyeja pse jua them këtë, se nuk ka qenë në qëllimin tim të dukem aty, por në qëllimin tim së pari si qytetari së dyti si nënë sepse shikoja 15-vjeçarë, çuna dhe vajza të reja. E kam quajtur një lloj qelize Pranvere arabe atë protestë”, tha Duma./tvklan.al